Kosova feston në “Fadil Vokrri”, nuk gabojnë Spanja dhe Portugalia

Portugalia shkëputet e vetme në krye të renditjes së grupit 2 të Nations League, falë fitores 2-0 përballë Republikës Çeke. Portugezët kanë zgjidhur gjithçka që në pjesën e parë dhe tashmë e shohin veten në pozita komode në grup.

Një gol i Pablo Sarabia i ka dhuruar fitoren Spanjës në transfertën kundër Zvicrës si dhe suksesin e parë në Nations League. Ndonëse nuk kanë shkëlqyer, spanjollët marrin tre pikë të rëndësishme që i ngjisin në vendin e dytë në grup.

Norvegjia zhgënjen në shtëpi, pasi nuk merr më shumë se një pikë përballë Sllovenisë, ndërsa Serbia merr vendin e dytë në grup falë fitores minimale 1-0 përballë Suedisë.

Kosova ka marrë një sukses të çmuar në Prishtinë, pasi ka mposhtur 3-2 Irlandën e Veriut. Vedat Muriqi (shënon 2 gola) dhe Zymer Bytyqi shënojnë për dardanët, që pas kësaj fitoreje ngjiten në kuotën e 6-të pikëve dhe mbajnë gjallë shpresat për vendin e parë në grup.

Greqia fiton bindshëm 3-0 përballë Qipros dhe ngjitet në vendin e parë në grup me pikë të plota pas 3 ndeshjesh. Gjeorgjia dhuron një tjetër surprizë në transfertë, pas suksesit në Bullgari, fiton edhe përballë Maqedonisë së Veriut.

Bullgaria zhgënjen sërish dhe barazon 1-1 përballë Gjibraltarit, ndërsa Estonia fiton 2-1 në transfertë kundër Maltës. / Oversport.tv

Foto: ffk_kos Instagram