Kosova ia del me një autogol, thyen Gjeorgjinë dhe merr 3 pikët e para

Kosova ka marrë fitoren e parë në kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”. Dardanët e drejtuar nga Bernard Challandes mposhtën Gjeorgjinë me rezultatin minimal 1-0 në transfertë.

Fatet e ndeshjes u vendosën në minutën e 18-të, kur Khocholava shënoi në portën e tij një autogol dhe te Kosova nisi festa.

Epërsia duhej ruajtur dhe normalisht Kosova u tregua disi e kujdesshme. Topin e mbajti Gjeorgjia, por kur ishte puna te rastet e rrezikshme, Dardanët ishin ata që drithëronin kundërshtarin.

Lirim Kastrati ishte mjaft i rrezikshëm, ndërsa Vedat Muriqin e ndali VAR-i kur i anuloi golin në fraksionin e dytë të lojës. Gjithsesi Kosovës i mjaftoi një gol për të marrë triumfin e parë.

Dardanët janë ngjitur në vendin e tretë, duke lënë pas Greqinë që ka një ndeshje më pak dhe Gjeorgjinë. / oversport.tv