Kosova zyrtarisht me trajner të ri, prezantohet Alain Giresse

Tashmë është zyrtare, Alain Giresse është trajneri i ri i Kosovës. Zyrtarizimi ka ardhur nëpërmjet një konference për shtyp të mbajtur nga vetë tekniku francez dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Ai ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë atë lidhur deri në nëntor të vitit 2023. Ai ka trajnuar në fillimet e karrierës së tij ekipe si Toulouse dhe PSG. Ndërsa në nivelin e kombëtareve, Giresse ka trajnuar ekipe si Senegali, Mali, Gaboni, Gjeorgjia dhe përpara se të nënshkruante me Kosovë, ai ishte trajneri i Tunizisë.

Kështu Giresse do të zëvendësojë të larguarin Bernard Challandes te Kosova. Gjatë fjalës së tij të prezantimit ai shpjegoi edhe potencialin që përfaqësuesja kosovare ka.

“Unë e vlerësoj një ekip që luan mirë në mbrojtje, por që ka edhe individualitete shpërthyese. Kosova ka lojtarë që janë teknikë dhe kjo është diçka që duhet shfrytëzuar.

Gjithsesi, unë kurrë nuk shoh pas, shoh nga e ardhmja. Dëshiroj që me ekipin ekzistues të krijoj një ekip të vërtetë, kolektiv. Të luftojnë në çdo ndeshje. Ka ndeshje të lehta dhe të vështira, por duhet të kemi shpirtin luftarak, gjithmonë duke e respektuar ekipin kundërshtar.

Dua një ekip që ka mentalitet dhe moral. Është me rëndësi që kur ekipi të hyjë në fushë, të ndihet i fortë. Shpresojmë në tifozët që të na mbështetin. Ne themi gjithmonë që tifozët janë lojtari i 12-të”, u shpreh gjatë fjalës së tij Giresse. /oversport.tv

Fotot: www.ffk-kosova.com