Koulibaly: Racizmin duhet ta luftojmë të gjithë, mirënjohje për Irratin dhe Chiellinin

Koulibaly i ka vuajtur në kurriz episodet e racizmit, ofendimet në ndeshjen e Firenzes në 3 tetor si dhe ato në ndeshjen Inter-Napoli të vitit 2018.

“Në fillim është shumë e vështirë që të përtypësh episodet e racizmit, mendon se gabon nëse bërtet se dikush të ka lënduar. Por e bukura është se qyteti të bën të kuptosh se nuk je ti ai që ka gabuar.

Mendoj se mund të bëjmë akoma shumë për të luftuar këtë problem, por mendoj se janë bërë hapa para në krahasim me vitet e kaluara.

Giorgio Chiellinin e dua shumë. Në fushë nuk mund të jem mik i tij, por jashtë saj është një person i mrekullueshëm. Gjithmonë më ka mbrojtur dhe më tha se i vinte shumë keq, madje më kërkoi falje në emër të gjithë Italisë. Është një luftë që duhet ta bëjmë të gjithë bashkë.

Edhe gjyqtari Irrati është një person që e vlerësoj shumë. Ishte një gjest shumë i fortë, ai që bëri gjatë ndeshjes Lazio-Napoli të vitit 2016. Më dha një tjetër imazh të arbitrave duke më thënë “nëse ka ndonjë problem le të ndërpresim ndeshjen”. Isha i çuditur, por duhet ta falënderoj, sepse më dha forcën që të filloj të luftoj me të gjitha forcat e mia këtë diskriminim.

Kur pashë San Paolon plot me tifozë që mbanin maska me fytyrën time mbeta i çuditur. Nuk e prisja, ishte diçka shumë e bukur. Ky qytet dhe këta tifozë më kanë dhënë gjithçka dhe unë dua që tu jap diçka në këmbim”, ka përfunduar Koulibaly, që duket se do që ti dhurojë titullin kampion skuadrës së Napolit. / Oversport.tv