Kriza e Juventusit nis nga mbrojtja, 18 ndeshje radhazi që pëson gol

Dy pikë nga 12 të mundshme. Kalendari nuk ishte i lehtë për Juventusin, por asnjë nuk mendonte që skuadra bardhezi pas 4 javëve të para të kampionatit të kishte vetëm 2 barazime dhe asnjë fitore.

45 minutat e para të ndeshjes kundrejt Udineses në debutim të cconin te mendimet që u rikthye Juventusi i vërtetw, ai i ciklit fitues të Allegrit.

Në fakt, që nga pjesa e dytë e ndeshjes ndaj Udineses e në vazhdim u rikthyen fantazmat e Juventusit të dy viteve të fundit. Ka një të dhënë që shqetëson Allegrin: me golin e pësuar në sfidën ndaj Milanit u bënë 18 ndeshje që skuadra bardhezi ka pësuar të paktën 1 gol.

Kjo është periudha më e gjatë për momentin në 5 kampionatet më të rëndësishme europiane në të cilën një skuadër pëson gola. Gjithashtu është e treta në historinë e Juventus për golat e pësuar, pas 1955 (21 ndeshje radhazi) dhe 2010 (19 ndeshje radhazi).

Sigurisht jo i gjithë faji është i Allegrit. Ai nga këto 18 ndeshje ka qenë trajner i Juventusit për 4 ndeshje. Gjithashtu nuk mund të thuhet që është problem lojtarësh. Bonucci dhe Chiellini janë një dyshe mbrojtësish ekselentë, De Ligt përmirësohet dita ditës, Danilo është një mbrojtës i disiplinuar, kurse Alex Sandro po fiton formën e tij më të mirë.

Skuadrat e mira nuk mbrojnë vetëm individualisht, ose vetëm me repartin e mbrojtjes, por mbrojnë duke filluar nga sulmuesit. Në disa fragmente të ndeshjes ky aspekt mungon.

Pavarësisht gabimeve të Szczesny (i cili ndaj Milanit shpëtoi rezultatin), të gabimeve individuale (Kean kundër Napolit), përshtypja që ky Juventus jep është që nuk është i pathyeshëm si më parë.

Si në fillim të ndeshjes, si në momentin kur skuadra kalon në avantazh (tre herë në këtë sezon, asnjë fitore). Allegri e di mirë që për të fituar kampionatin duhet të kesh gjithmonë mbrojtjen më të mirë. Detyra e tij është të rikthejë Juventusin si më parë, por koha shtrëngon dhe diferenca me vendet e para rrezikon të bëhet edhe më e madhe. / oversport.tv