“Ku ka më mire se te City”, Ederson edhe pesë vite me kampionët e Anglisë

Manchester City nuk i ndal rinovimet. I radhës që ka nënshkruar është portieri Ederson, një nga pikat kyçe në skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola.

“Qytetarët” kanë njoftuar ditën e sotme nënshkrimin e kontratës së re me portierin dhe ajo do të jetë e vlefshme deri më 30 qershor 2026. Ederson është pjesë e City prej verës së vitit 2017.

Më parë me Manchester City kanë rinovuar edhe Kevin De Bruyne, Fernandinho, John Stones dhe Ruben Dias. Ederson, pas firmës ka deklaruar:

“Ishte një vendim i lehtë për mua. Nuk ka asnjë vend tjetër ku do të doja të isha. Të jesh pjesë e një prej skuadrave më të mirë në botë dhe të luftosh për trofe çdo vit është ajo që çdo futbollist e do. Këtë mundësi City ta jep”.

“Kemi një trajner të jashtëzakonshëm. Të punoja me të ka qenë një nga eksperiencat më të shkëlqyera në karrierën time dhe tani jam një lojtar më i mirë prej tij.

Gjatë katër viteve kemi arritur kaq shumë dhe jam i bindur se do të sjellim më shumë suksese në klub edhe në vazhdim”, përfundon Ederson, të cilin City e pat blerë te Benfica për 40 milion euro.