Kualifikim historik i Marokut, shuhen ëndrrat e Ronaldos dhe Portugalisë për një triumf në Botëror

Nuk kanë fund surprizat në Kupën e Botës, Katar 2022. Është Maroku skuadra që shkruan historinë, pasi mposht 1-0 Portugalinë në çerekfinale dhe për herë të parë në histori kualifikohet në gjysmëfinalet e një Botërori. Falë suksesit përballë Portugalisë, Maroku bëhet skuadra e parë afrikane që kualifikohet mes 4 skuadrave më të mira të Kupës së Botës. Një gol i En-Nesyri në fund të pjesës së parë i ka dhënë një fitore historike skuadrës marokene. Eliminohet Portugalia dhe shuhet këtu ëndrra e Ronaldos për të fituar një Botëror.

Portugezët nisin më mirë ndeshjen dhe i afrohen golit të avantazhit me Joao Felix. Maroku i reziston presionit të fillimit dhe shfaqet rrezikshëm në portën kundërshtare me En-Nesyri. Është pikërisht ky i fundit ai që zhbllokon ndeshjen në minutat e fundit të pjesës së parë dhe kalon afrikanët në avantazh. Portugalia përgjigjet menjëherë me Bruno Fernandes, por mesfushori është i pafat sepse gjuajtja e tij ndalet në traversë.

Në pjesën e dytë Santos hedh në fushë Ronaldon dhe Portugalia kërkon me ngulm golin e barazimit. Bruno Fernandes dhe Joao Felix nuk arrijnë të dërgojnë topin në rrjetë në mundësitë që u krijohen.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të portugezëve, Maroku arrin të mbrojë “me gjak” avantazhin e pjesës së parë dhe arrin që të marrë një sukses historik. Afrikanët kualifikohen në gjysmëfinale ku do të përballen me fituesin e sfidës Angli-Francë, ndërsa përfundon këtu ëndrra e Portugalisë dhe Ronaldos për të triumfuar në Kupën e Botës, Katar 2022. / Oversport.tv

Foto: FIFA World Cup Twitter