Kualifikueset e Amerikës Latine, Brazili dhe Argjentina luajnë në transfertë

Skuadrat e Amerikës Latine do të zbresin sot në fushë (pas mesnate me orën tonë) për të zhvilluar ndeshjet e 10-ta, të kualifikueseve të Kupës së Botës, Katar 2022.

Nuk është marrë akoma një vendim për atë që ndodhi në sfidën Brazil-Argjentinë, por të dyja superfuqitë e kontinentit aktualisht e shohin veten në pozita shumë komode në tabelën e klasifikimit.

Brazili, që qëndron në krye të renditjes, e vetmja skuadër me pikë të plota deri tani, do të luajë në transfertë përballë Venezuelës, që renditet e fundit, me vetëm 4 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje të luajtura.

Argjentina, aktualisht e dyta në kuotën e 18 pikëve, do të luajë në transfertë kundër Paraguajit. Vendasit qëndrojnë në vendin e 6-të, por shpresojnë të futen në zonën që të kualifikon në fazën finale të turneut, pasi janë vetëm 2 pikë larg Ekuadorit dhe Kolumbisë, që renditen respektivisht në vendin e 4-t dhe të 5-të.

Uruguaj-Kolumbi është sfida më interesante e ditës së sotme. Vendasit, aktualisht në vendin e tretë me 15 pikë, synojnë fitoren përballë një rivali direkt, që ti afrohen akoma më shumë kualifikimit.

Ekuadori kërkon të rikthehet tek rezultatet pozitive, duke synuar fitoren përballë Bolivisë. Vendasit janë aktualisht në zonën që të kualifikon në fazën finale të turneut, ndërsa miqtë zënë vendin e parafundit në tabelën e klasifikimit. Peru-Kili është sfida e fundit e ditës së sotme për zonën Conmebol. /Oversport.tv