Kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”: Polonia “dajak” Shqipërisë, Anglia poker Hungarisë

Shqipëri e brishtë ndaj Polonisë. Humbja me rezultatin 4-1 e thotë diçka të tillë. Kuqezinjtë pësuan disfatë në një ndeshje që ishte si finale, ku mundësitë ishin për ta marrë të paktën një pikë.

Statistikat, veç golave dhe epërsisë minimale në zotërimin e topit, folën për Shqipërinë. Gjithsesi të besuarit e trajnerit Edy Reja gabuan shumë. Gjithçka nisi te goli i parë, i shënuar nga Robert Lewandowsky.

Polakëve ua prishëm festën me Sokol Cikalleshin, i cili shënoi një gol mjaft të bukur. Rey Manaj mund t’ua kishte ngrirë buzëqeshjen vendasve, por shpëtimtar u bë portieri Szczesny.

Minutat e fundit të pjesës së parë ishin dramatike për Shqipërinë, që pësoi një gol nga Buksa, i cili me kokë e goditi topin dhe mposhti portierin Etrit Berisha. Polonia shkoi në dhomat e zhveshjes në epërsi.

Goli i tretë i vendasve erdhi pas gabimeve të njëpasnjëshme të lojtarëve tanë, të cilët panë Lewandowskyn të asistonte për Krychowiak. 3-1, por loja mund të rihapej më pas. Shqipërisë iu mohua një penallti dhe Rey Manaj u tërbua dhe u ndëshkua, duke humbur duelin kundër Hungarisë.

Kuqezinjtë më pas rrezikuan edhe me Odise Roshin, i cili iu afrua golit. Në fund Polonia shënoi edhe golin e katërt, me autor Linetty. 4-1 dhe tani kuqezinjtë duhet të mendojnë për duelin ndaj Hungarisë, që sonte u mposht nga Anglia me rezultatin 0-4. / oversport.tv