Kualifikueset e Conference League/ 3 ekipet shqiptare nisin sot “gjuetinë” e ëndrrave

Pas Partizanit në Champions League, sot është radha e tre skuadrave të tjera të “Abissnet Superiore” që do të zbresin në fushën e lojës për kualifikueset e Conference League. Sfida e parë shqiptare ditën e sotme është ajo mes Ararat Armenias dhe Egnatias.

Këta të fundit kanë debutimin e tyre historik në Kupat e Europës që do të startojë në orën 17:00. Një sfidë e komplikuar për rrogozhinasit, por që Tetova shprehet besimplotë se mund t’ia dalin dhe thotë se shanset për të kaluar janë 50 me 50.

Më pas në orën 20:00 është radha e nënkampionëve të Shqipërisë. Tirana do të sfidojë në “Air Albania”, Dinamo Batumin. Bardheblutë kërkojnë të përfitojnë nga fakti që ndeshjen e parë e luajnë në shtëpi dhe të sigurojnë një rezultat pozitiv për të shkuar më komod në sfidën e kthimit. Orges Shehi beson te kualifikimi dhe kërkon që të kalojnë të paktën këtë tur, duke parë se kundërshtari i radhës do të jetë Besiktasi.

Ndërkohë që në orën 20:45 do të luhet Linfield-Vllaznia. Skuadra shkodrane ka udhëtuar në Irlandën e Veriut, aty ku e pret skuadra rekordmene e këtij shteti. Një sfidë e komplikuar edhe për shkodranët, por që i ka të gjitha shanset për të vazhduar më tej. Ajo që është e sigurt është se të gjitha ndeshjet pritet të jenë spektakolare dhe shpresat për një kualifikim të trefishtë janë të larta. /oversport.tv