Kualifikueset vazhdojnë marshimin, sytë nga Holandë-Mali i Zi dhe Ukraine-Francë

Do të luhen sot një pjesë e ndeshjeve të raundit të pestë të kualifikueseve të Kupës së Botës 2022.

Në Grupin A do të luhen ndeshjet Serbi-Luksemburg dhe Irlandë-Azerbaixhan, pasi kryesuesit e Portugalisë janë pushim. Serbët kërkojnë fitoren në sfidën e sotme, që t’i bashkohen portugezëve në krye dhe të mbajnë gjallë shpresat për kualifikim.

Ukrainë-Francë është ndeshja që spikat në Grupin D. Pavarësisht barazimit kundër Bosnjës, të besuarit e Deshamps gjenden në një pozicion komod në krye të grupit, 4 pikë larg ukrainasve. Pa Mbappe, por me shumë alternativa të tjera, “gjelat” kërkojnë të vazhdojnë ecurinë e rezultateve pozitive. Ndërsa trajneri i Ukrainës Petrakov, që zëvendësoi Shevchenkon në gusht, do të debutojë sot në shtëpi. Finlandë-Kazakistan është ndeshja tjetër e këtij grupi, ndërsa Bosnja është pushim.

Danimarka më pikë të plota në krye të Grupit F, kërkon suksesin e radhës në transfertën ndaj Ishujve Faroe. Izrael-Austri është përballja më e fortë e ditës në këtë grup. Të dyja skuadrat në kuotën e 7 pikëve, kërkojnë suksesin në këtë përballje direkte, që të mbajnë gjallë shpresat për kualifikim. Skoci-Moldavi ndeshja tjetër e ditës në këtë grup.

Grupi G është ndoshta grupi më interesanti i kësaj fushate kualifikuese, sepse rezultat e katër ndeshjeve të para, mbajnë në lojë për kualifikim plot 4 skuadra. Holanda do të presë në shtëpi Malin e Zi, në sfidën më interesante të ditës. Dy skuadrat janë në kuotë të barabartë pikësh dhe fitorja do të vlente dyfish në këtë sfidë. Kryesuesit e Turqisë udhëtojnë drejt Gjibraltarit, për t’u ndeshur me vendasit modestë, ndërsa Letoni-Norvegji është sfida tjetër e grupit.

Përballje mjaft interesante vijnë edhe në Grupin H, pasi diferenca në pikë mes të gjitha skuadrave është shumë e vogël dhe të gjitha kanë shanse për kualifikim. Spikat Sllovaki-Kroaci, por mjaft interesante janë edhe Qipro-Rusi dhe Slloveni-Maltë. /Oversport.tv