Kukësi e Teuta masin forcat në Elbasan, Tirana synon kthesën përballë Laçit

Do të luhen sot dy takimet e fundit të javës së 4-t të “Abissnet Superiore”. Tirana do të presë në “Selman Stërmasi” Laçin në orën 13:45, ndërsa kryesuesit e Kukësit do të ndeshen me Teutën në “Elbasan Arena” në orën 16:45.

Pas dy barazimeve në dy ndeshjet e fundit në kampionat, Tirana kërkon të rikthehet tek fitorja në sfidën e sotme kundër Laçit. Djemtë e Orges Shehit nuk kanë bindur në sfidat e fundit dhe sot kërkojnë të dalin nga ky moment jo i mirë, që të ngjiten në tabelën e klasifikimit.

Me vetëm 2 pikë të grumbulluara në tre takime në kampionat, Laçi e sheh vetën në vendin e parafundit në renditje. Kurbinasit janë shumë larg paraqitjeve të sezonit të kaluar dhe këtë vit duket se do të luftojnë për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar. Zarubica me golat e tij i ka dhënë shpresë Laçit, që në kryeqytet vjen në kërkim të një rezultati pozitiv.

Përballja më interesante e ditës është ajo me Kukësit dhe Teutës në “Elbasan Arena”. Skuadra e Longos është ajo që ka bindur më shumë në këtë fillim sezoni dhe me meritë qëndron në krye të tabelës së klasifikimit. Kukësi kërkon një trepikësh me vlera përballë një rivali direkt, që të shkëputet akoma më shumë në krye të renditjes.

Pas 2 barazimeve radhazi, kampionët në fuqi të vendit synojnë të rikthehen tek fitorja në sfidën e sotme kundër kryesuesve. Teuta kërkon që të mos i largohet skuadrave të kreut, prandaj do të bëjë maksimumin që të marrë një rezultat pozitiv në sfidën e sotme në Elbasan. / Oversport.tv