Kukësi gjen trajner, nesër pritet zyrtarizimi i ish-sulmuesit të Kombëtares

Pasi dështoi pista që ulte në stolin e Kukësit Igli Allmuçën, verilindorët kanë gati një tjetër alternativë. Këtë herë bëhet fjalë për ish-sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Enkeleid Dobi.

Sipas burimeve pranë redaksisë së Oversport, Dobi i cili jeton në Poloni, pritet të zbarkojë nesër në Kukës ku do të zyrtarizohet si trajneri i ri. Trajneri durrsak është gati të lerë Poloninë për të vazhduar aventurën e tij si trajner në Shqipëri.

Më parë, ai ka trajnuar dy ekipe, të dyja në Poloni. Bëhet fjalë për ekipet Gornik Polkowice dhe Widzeë Lodz. Momentalisht Dobi është pa ekip dhe në rast se gjithçka shkon sipas planit, nga nesër ai do të jetë trajneri i ri i Kukësit. Në stafin e tij Dobi pritet të ketë edhe Ylli Shametin.

Dobi pritet të zëvendësojë të larguarin Skënder Gega. Më parë u përfol edhe për Igli Allmuçën si zëvendësues së Gegës, por bisedimet midis palëve nuk u finalizuan me një marrëveshje. /oversport.tv