Kukësi i jep hua Gjilanit për Europën, klubet zyrtarizojnë marrëveshjen për dy lojtarë

Gjilani bën pazar te Kukësi për Kupat e Europës. Klubi kosovar ka marrë në formë huazimi për ndeshjet e Conference League dy lojtarët e verilindorëve Angjelo Tafas dhe Atdhe Rashiti. Portieri dhe sulmuesi do të vihen nën urdhrat e Klodian Duros për sfidën ndaj Progres Niederkorn. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku ka njoftuar gjithashtu edhe marrëveshjen me Ballkanin për Enea Koliçin.

“Sport Club Gjilani konfirmon ardhjet e përkohshme të futbollistëve Angjelo Tafas dhe Atdhe Rashiti nga radhët e Kukësit. Klubet kanë gjetur akordin për këtë marrëveshje dhe me këtë rast shprehim falenderimet më të sinqerta për bashkëpunimin e ofruar nga FK Kukësi.

Gjithashtu, konfirmojmë edhe arritjen e marrëveshjes me FC Ballkani për futbollistin Enea Koliçi, duke u dëshiruar njëherit shumë suksese në garat evropiane.

Të gjithë futbollistët e tjerë vazhdojnë të mbetur në lidhje kontraktuale me klubin dhe janë të regjistruar për ndeshjet kualifikuese në Ligën e Konferencës.

Klubi njofton se ekspedita kuq & bardh do të udhëtojë më datën 11 Korrik drejt Luksemburgut, me ç’rast do t’i zhvillojë dy seanca stërvitore para ndeshjes të datës 13 Korrik ndaj ekipit vendas Progres Niederkorn”, shkruhej në njoftimin e Gjilanit. /oversport.tv