Kukësi i tregon muskujt edhe Dinamos, rikthehet në vendin e parë

Kukësi nuk mund të konsiderohet më një surprizë. Verilindorët kanë triumfuar sot kundër Dinamos me rezultatin 1-0 në “Air Albania Stadium” dhe për momentin kryesojnë kampionatin me pikë të barabarta me Tiranën që nesër luan në Shkodër kundër Vllaznisë.

Duelin e sotëm e vendosi Edi Basa, pasnjë goli të shënuar mjeshtërisht pas një kundërsulmi të shpejtë që gjeti të papërgatitur Dinamon e Bledi Shkëmbit.

Rikthimi në kryeqytet i bluve nuk ishte ai që duhej, edhe pse 18-herë kampionët e vendit ishin të parët që iu afruan golit pa u bërë çerek ore lojë.

Kapiteni Agim Ibraimi goditi në hyrje të zonës dhe topi shkoi ngjitur me shtyllën pingule. Në fillimin e pjesës së dytë rrezikoi edhe Stephen Chinedu, ndërsa në një rast tjetër po numri 10 i Dinamos provoi të befasonte me një goditje dënimi, që shkoi në rrjetën e jashtme.

ABISSNET SUPERIORE – JAVA 7
DINAMO-KUKËSI 0-1
Shënues:
Basa 28’