Kukësi në emergjencë, 6 lojtarë do të mungojnë kundër Teutës

Kukësi po zhgënjen në kampionat, ku ka 5 javë që nuk po gjen fitoren dhe tashmë ka filluar të vihet në diskutim vendi i tretë në renditje (bileta e fundit që të çon në Europë), pasi Partizani i vendit të katërt është vetëm 3 pikë larg.

Kuksianët i pret një transfertë e vështirë në Durrës përballë Teutës që kërkon pikë me peshë në luftën për mbijetesë.

Sikur të mos mjaftonin problemet me formën, tekniku Longo ka probleme edhe me mungesat në prag të kësaj sfide. Bruno Lulaj, Shqiprim Taipi dhe Vitor Feizhao kanë plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do të luajnë në “Niko Dovana”.

Kundër Laçit u dëmtua edhe sulmuesi Puntus, që i shtohet listës së të dëmtuarve afatgjatë Tafas dhe Shkurtaj. Janë plot 6 lojtarë që do të mungojnë kundër Teutës të premten e ardhshme. / Oversport.tv

Foto: F.K Kukësi Albania Facebook