Kukësi zyrtarizon largimin e dy lojtarëve, të pavërteta lajmet për Jorgo Meksin

Kukësi njofton se ka ndërprerë me konsensus bashkëpunimin me Agnaldo Moraes dhe Ante Zivkovic, të cilët nuk do të jenë më pjesë e klubit për pjesën e mbetur të sezonit. Klubi verilindor saktëson se Meksi do të vazhdojë të mbrojë ngjyrat e Kukësit dhe se lajmet për një largim të tij janë të pavërteta.

“FK Kukësi njofton se mesfushori Agnaldo Moraes dhe sulmuesi Ante Zivkovic nuk janë më pjesë e klubit tonë. Futbollistët në fjalë dhe klubi kanë arritur marrëveshjen për ndërprerjen e bashkëpunimit.

Klubi i Kukësit hedh poshtë lajmet e publikuara ditën e sotme nga media e shkruar në lidhje me largimin e mbrojtësit Jorgo Meksi. Meksi ka kontratë për 2 sezone me klubin tonë dhe lajmi për largimin e tij nuk është i vërtetë.

Klubi i Kukësit kërkon nga mediat të kenë më shumë kujdes dhe të tregohen profesionistë në publikimin e lajmeve. Zyra e shtypit është e hapur për çdo konfirmim që mund të keni nevojë, prandaj ju kërkojmë të mos publikoni informacione të rreme. Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, presim një bashkëpunim më të mirë në vijim”, shkruhet në njoftimin e klubit verilindor. / Oversport.tv