Kulusevski në shënjestrën e Tottenhem, Paratici kërkon në Londër të preferuarin e tij

Tottenham ka nisur shumë keq kampionatin duke grumbulluar vetëm 9 pikë në 6 takime të luajtura, madje londinezët kanë pësuar 3 humbje radhazi në 3 takimet e fundit në Premier Ligë.

Për të dalë nga kjo krizë, drejtuesit e klubit kanë filluar të mendojnë për të përforcuar organikën që ka në dispozicion tekniku Nuno Espirito Santo, që në merkaton e janarit.

Sipas asaj që raporton britanikja “The Mirror”, emri i parë në listën e dëshirave është ai i Dejan Kulusevski, një lojtar që i pëlqen shumë Fabio Paratici, që e solli lojtarin ke Juventusi, para së të largohej për në Angli verën e kaluar.

Sipas të përditshmes angleze ka patur një interesim për lojtarin që në transfertën që Juventusi zhvilloi në Champions kundër Malmos, ku në tribunë u shfaqën disa vëzhgues të “Spursave”, për të parë nga afër aftësitë e talentit suedez të bardhezinjve. / Oversport.tv