Kumbulla: Finalja në Tiranë një ëndërr e bërë realitet, shpresoj të luaj

Mbrojtësi shqiptar i Romës, Marash Kumbulla ka publikuar te “Corriere dello Sport” një letër në të cilën flet për finalen e Conference League që do të luhet në Tiranën e tij.

“Jua them sinqerisht, jam shumë i emocionuar. Në fillim të sezonit, kur mora vesh që finalja do të luhej në Tiranë, vendosa që të arrij këtë objektiv. Për mua që kam lindur në Itali në një familje shqiptare, ishte si një shenjë e fatit. Për fat ëndrrat realizohen.

Tani na takon neve që të plotësojmë këtë arritje dhe të mposhtim Feyenoord, ndonëse e dimë që nuk do të jetë e lehtë. Për shqiptarët kjo finale përfaqëson një mundësi. Dhe jam i sigurt që mikpritja e tyre do të jetë shembullore. Me italianët kanë një lidhje të fortë.

Në Tiranë, përveç tifozëve të Feyenoord që do të mbështesin skuadrën e tyre, pjesa më e madhe e tifozëve do të jenë me ne. Edhe Kryeministri e pëlqen shumë Mourinhon.

A do të luaj? Do të ishte diçka e bukur, do të isha gënjeshtar nëse do të thoja që nuk shpresoj që të luaj këtë ndeshje, të paktën edhe disa minuta. Vendimin e merr trajneri dhe ne duhet ta respektojmë”, shkruan mes të tjerash Kumbulla. / Oversport.tv