Kunjat për Milanin dhe Juventusin, batutat më të bukura të Peppino Priskos

Avokati interist, i ndjeri Peppino Prisko pas ndarjes nga jeta, ka lënë pas shprehje lapidar që çdo tifoz zikaltër edhe sot e kësaj dite i përmend me krenari.

Në përvjetorin që do të kulmonte 100 vjetorin e tij, është publikuar një libër me thëniet më interesante dhe kulmore të tij, drejtuar milanistëve dhe juventinëve, rivalëve historik të Interit.

Prisko në jetën e tij ka qenë rreth 55 vjet pjesë e Interit si avokat dhe rreth 40 prej tyre, si zëvendëspresident. Ja disa nga shprehjet më kryesore:

–              “Pasi i jap dorën një milanisti, e laj menjëherë. Pasi jap dorën një juventini, menjëherë numëroj gishtat”.

–              “Në Milano ka dy skuadra: Interi dhe skuadra primavera e Interit”.

–              “Juventusi është si një sëmundje që e mbart nga fëmijëria. Dhe në fund dorëzohesh, e pranon”.

–              “Inter ka lindur nga ndarja e Milanit. Kjo është prova se mund të bësh diçka të rëndësishme duke u nisur nga hiçi”.

–              “Të shohësh Milan-Cavese 1-2 në vitin 1982, me kushurinjtë në Serinë B, është diçka që i bën shumë mirë atyre që janë të sëmurë”.

–              “Milan në Serinë B dy herë. Një herë me pagesë dhe një falas. Unë jam i mendimit që një rënie nga kategoria heq të paktën pesë tituj”.

–              “Të gjithë fëmijët e mi janë me Interin. Një herë më pyetën nëse fëmija im kishte bërë tifo për Milanin dhe ju përgjigja: Ai ka sytë e kaltër dhe flokët ngjyrë të hapur, ndërsa unë kam qenë i errët dhe me sy të zinj. Nëse djali im Luigi do të kishte bërë tifo për Milanin, menjëherë do të kërkoja provat e gjakut prej tij. Sepse në atë moment, s’do t’i kisha besuar as gruas time”.

–              “Unë jam kundër çdo forme racizmi, por nuk do ta martoja kurrë vajzën time me një lojtar të Milanit”.

–              “Tifozët e Interit të mos shqetësohen. Pas kaq vitesh në këtë klub, mund të them se Seria B nuk është në kodin tonë gjenetik”.

–              “0-6 në derbi? Nuk më kujtohet. Pastaj gazetarët shpikin shumë”.

–              “Dekada e fitoreve të Milanit? Çuditërisht më kujtohen vetëm ndeshjet që ato humbën”.

–              “Milan? Kam frikë të madhe se këtë vit ata do të qëndrojnë në Serinë A”.

–              “Ëndrra ime? Që Inter të mposhtë Juventusin përtej kohës së lejuar me një gol të shënuar në pozicion jashtë loje ose me dorë. Më mirë akoma,. Në pozicion jashtë loje dhe me dorë”. /Oversport.tv