Kupa e Botës: Spiunë dhe përgjime, ish-zyrtari i CIA-s në shërbim të Katarit

Ka gjithmonë e më shumë interes mbi Katarin dhe Kupën e Botës 2022, tashmë që po afrohet turneu, por në orët e fundit kanë dalë në dritë disa fakte interesante, që nuk kanë lidhje direkte me anën sportive, por që lidhen me politikën e futbollit.

Shteti i gadishullit arabik ka punësuar prej disa vitesh një ish-zyrtar të CIA-s për të spiunuar funksionarët e futbollit botëror për të fituar organizimin e turneut dhe për të vëzhguar kë sheh me kritika Kupën e Botës në Katar. Hetimi i Associated Press është bërë zyrtar pak më parë dhe tashmë është kthyer në një temë diskutimi në nivel botëror.

Ish-zyrtarët e agjencisë së inteligjencës amerikane që shkojnë të punojnë për qeveri të huaja, që përdorin politika që kanë vend për diskutim në lidhje me të drejtat e njeriut, është një problem që shqetëson zyrtarët në Uashington dhe ka shtyrë disa anëtarë të Kongresit, që të ketë më shumë kontroll për ketë treg të vogël, por shumë vicioz.

Tom Malinowski, një demokrat nga New Jersey, ka pranuar pak kohë më parë: “Ka kaq shumë para në Gjirin Persik që qarkullon përmes Uashingtonit. Tundimi është i madh dhe i paevitueshëm dhe i çon amerikanët në gjëra që nuk duhet të bëjnë”.

Hetimi i AP ka zbuluar se Katari ka kërkuar të ketë një avantazh, duke punësuar një ish-zyrtar të CIA-s, Kevin Chalker, për të spiunuar konkurrentët dhe funksionarët kryesorë që kanë marrë pjesë në vendimin e vitit 2010: në vitet pasardhëse i njëjti person dhe grupi i tij kanë vëzhguar edhe ata që nuk e kanë gjykuar si të drejtë zhvillimin e Kupës së Botës në Katar. / Oversport.tv