Interi është gjysmëfinalisti i parë i Kupës së Italisë pasi mposht në çerekfinale Atalantën me rezultatin minimal 1-0. Të besuarit e Inzaghit zhvillojnë një ndeshje më të mirë dhe ia dalin të kualifikohen për në fazën tjetër falë golit të Matteo Darmian.
Sfida nis e qetë me të dyja ekipet që studiojnë lojën e njëri-tjetrin. Megjithatë zikaltrit risin presionin dhe kërkojnë të rrezikojnë fillimisht me Lukaku e Lautaro Martinez. Interi i shkon pranë golit, por topi ndalet në shtyllë. Nga ana tjetër Atalanta nuk është e qartë në aksionet e saj dhe nuk ia del dot të shënjestrojë në asnjë rast kuadratin e mbrojtur nga Onana.
Në pjesën e dytë, zikaltrit vazhdojnë të sulmojnë dhe gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 57. Më pas të besuarit e Inzaghit menaxhojnë lojën dhe ia dalin mjaft mirë duke dalë në fund triumfues nga kjo përballje.
Me këtë fitore Interi kualifikohet për në fazën gjysmëfinale ku pret të zbulojë kundërshtarin e radhës që do të dalë nga çifti Lazio-Juventus. /oversport.tv
Foto: Inter, Twitter