Fiorentina është skuadra e dytë gjysmëfinaliste e Kupës së Italisë pasi mposhti në çerekfinale Torinon me rezultatin e ngushtë 2-1. Golat e Jovic dhe Ikone mjaftuan për ekipin e Italianos të triumfonte në këtë përballje, ndërsa në kampin tjetër goli i Karamoh pati vetëm vlerë statistikore.
Ndeshja ka menjëherë rritëm me Torinon që jep shkëndijën e parë pas dy minutash lojë. Samuele Ricci ka shansin e parë të artë për të prishur ekuilibrat, por pa sukses. Kundërpërgjigjet edhe Fiorentina fillimisht me Mandragora që godet shtyllën e më pas me Dodo. Megjithatë, pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura.
Në pjesën e dytë, Fiorentina është më kërkuese dhe prish ekuilibrat falë golit të Jovic. Ky i fundit mposhti portierin Milinkovic-Savic duke çuar shifrat në 1-0. Fundi i takimit është edhe më emocionues ku prodhohen edhe dy gola të tjerë.
Fillimisht është Ikone që dyfishon rezultatin për Fiorentinën, ndërsa Karamoh ngushton diferencat. Megjithatë, në fund fitues del Fiorentina që siguron fazën gjysmëfinale ku do të përballet me fituesin e çiftit Roma-Cremonese. /oversport.tv
Foto: ACF Fiorentina, Twitter