Juventusi është gjysmëfinalisti i fundit i Kupës së italisë pasi mposht në çerekfinale Lazion me rezultatin minimal 1-0. Sfida u vendos nga goli i Gleison Bremer, ndërsa në fazën tjetër bardhezinjtë do të përballen në “Derbin e Italisë” me Interin.
Ndeshja ka menjëherë rritëm me Lazion që jep shkëndijën e parë me Ciro Immobile. Nga ana tjetër kundërpërgjigjet Juventusi me Kostic e Rabiot, por që nuk kanë saktësinë e duhur për të çuar topin në rrjetë.
Lazio ka një tjetër shans për të prishur ekuilbrat e takimit me Felipe Anderson, por goditja e tij shkon ngjitur me shtyllën. Kur pritet që të mbyllet pjesa e parë në barazim pa gola, Gleison Bremer çon topin në rrjetë duke fiksuar rezultatin në 1-0.
Në pjesën e dytë ekipet nuk tërhiqen dhe luftojnë për të fituar takimin. Juventusi ka mundësinë të dyfishojë shifrat me Moise Kean, ndërsa Lazio nuk vendos dot ekuilibrat pasi një goditje e bukur e Marusic nuk shënjestron dot kuadratin.
Në fund sfida mbyllet me rezultatin minimal 1-0 dhe Juventusi i Allegrit vazhdon rrugëtimin në Kupën e Italisë ku pengesa e radhës në gjysmëfinale është Interi, ekipi që është edhe kampioni në fuqi i këtij kompeticioni. /oversport.tv
Foto: JuventusFC, Twitter