Pasi eliminoi Napolin, Cremonese shtang një tjetër ekip pretendent në Kupën e Italisë. Këtë herë skuadra nga Kremona ka mposhtur në çerekfinale Romën e Mourinhos me rezultatin e pastër 2-0, duke fluturuar kështu në gjysmëfinale ku e pret skuadra e Fiorentinës.
Loja flet më shumë për Romën për sa i përket rasteve, por është Cremonese ajo që tregohet cinike dhe ndëshkon. Verdhekuqtë japin shkëndijën e parë me Tahirovic, ndërsa miqtë fitojnë një penallti e cila kthehet në gol nga Dessers në minutën e 28-të. Provon të reagojë Roma që nuk pajtohet me këtë rezultat, por pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0.
Në pjesën e dytë, Mourinho bën menjëherë katër zëvendësime duke hedhur në fushë Dybala, Zaleëski, Smalling dhe Matic. Roma fillon në sulm edhe pjesën e dytë, por është sërish Cremonese ekipi që surprizon. Këtë herë miqtë dyfishojnë shifrat falë autogolit të Celik.
Kryeqytetasit nuk dorëzohen dhe kërkojnë të rihapin takimin, por fati nuk është me ta duke u ndalur edhe nga shtylla. Takimi megjithatë, rihapet vetëm në minutën e 94-t nga Andrea Belotti që realizon golin e parë për Romën në këtë sfidë duke i çuar shifrat në 2-1. Koha nuk premton për mundësi të tjera shënimi dhe në fund sfida mbyllet 2-1 me Cremonesen që shtang Romën në Olimpico dhe vazhdon të surprizojë në Kupën e Italisë. /oversport.tv
Foto: U.S. Cremonese, Twitter