Kupa: Një derbi për Europën, në Korçë zhvillohet një tjetër “betejë”

Dje janë zhvilluar 2 takime të Kupës së Shqipërisë, ndërsa sot katër skuadrat e tjera çerekfinaliste do të zbresin sot në fushë për të zhvilluar ndeshjet e vajtjes së këtij turneu.

Ndeshja më interesante e ditës së sotme, por edhe e këtij turi të turneut është padyshim derbi i kryeqytetit, Dinamo-Partizani, që do të luhet në orën 16:45 në stadiumin “Air Albania”.

Të dyja skuadrat kanë nisur me pretendime të mëdha sezonin, por kanë zhgënjyer deri tani në kampionat, prandaj e shohin Kupën si mundësinë më të thjeshtë për të siguruar një vend në Kupat e Europës. Teknikët Shkëmbi dhe Mehmeti kanë deklaruar se synojnë kualifikimin prandaj do të luajnë me skuadrat më të mira në sfidën e sotme.

Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, Skënderbeu do të luajë kundër Teutës në Korçë. Vendasit kanë si objektiv primar qëndrimin mes më të mirave të Shqipërisë, por sërish duan që të vazhdojnë sa më gjatë aventurën e tyre në Kupë.

Miqtë nga Durrësi po kalojnë një moment të vështirë dhe kanë bërë sërish ndryshime në stol. Arapi debutoi me fitore në eksperiencën e tij të parë në stolin e durrsakëve dhe sot synon që të bëjë të njëjtën gjë në Kupën e Shqipërisë. Takimi Skënderbeu-Teuta do të luhet në orën 13:45. / Oversport.tv