Kupa e Shqipërisë: Vllaznia vuan ndaj Bylisit, por kualifikohet! Në çerekfinale e pret Partizani

Vllaznia vuan, por në fund arrin që të sigurojë një vend mes tetë skuadrave më të mira të Kupës së Shqipërisë, pasi barazon 1-1 ndaj Bylisit në ndeshjen e kthimit. Shkodranët surprizohen në “Loro Boriçi” nga Bylisi, që kalon në avantazh me Kaçorin dhe rihap kualifikimin, por Çoba barazon shifrat për kuqeblutë në fund të takimit dhe i dhuron një vend në çerekfinale skuadrës së tij.

Vendimtare në këtë përballje të dyfishtë rezulton sfida e parë në “Adush Muça”, që u fitua nga skuadra e Josës me rezultatin 2-0. Falë këtij suksesi Vllaznia kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, ku i pret Partizani.

Sfida e “Loro Boriçit” ka qenë e luftuar dhe e mbushur me emocione. Pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola, ndonëse nuk mungojnë rastet për shënim. Kaçori kalon në avantazh ballshiotët dhe hap çështjen e kualifikimit.

Sulmuesi mallakastriot largohet me karton të kuq pak minuta më vonë dhe vendasit përfitojnë duke barazuar shifrat me Çobën, 4 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Përfundon në këtë tur aventura e Bylisit në Kupën e Shqipërisë, ndërsa Vllaznia kualifikohet në çerekfinale ku do të ketë përballë Partizanin. / Oversport.tv

Kupa e Shqipërisë – 1/8 e finales / Ndeshjet e kthimit

Vllaznia-Bylis          1-1

Çoba 86’ / Kaçorri 76’