Kursi i trajnerëve për licencën UEFA C mbërrin edhe në Elbasan. Hapen regjistrimet, ja si mund të bëheni pjesë

Interesi i lartë për t’u bërë pjesë e botës së bukur të futbollit, duke u pajisur me një licencë trajneri UEFA C ka bërë që Federata e Futbollit të shtrijë kursin në disa zona kryesore të vendit, si Tiranë, Fier, Shkodër e Korçë. Sakaq, në muajin shtator, ky kurs do të zhvillohet për herë të parë edhe në qytetin e Elbasanit, duke i dhënë mundësinë të gjithë të interesuarëve nga kjo zonë të përfshihen në botën e trajningut.

Sektori i Edukimit në FSHF ka planifikuar të zhvillojë edicionin e këtij kursi të parë në qytetin e Elbasanit më 25 shtator dhe do të jetë i ndarë në tre blloqe leksionesh e më konkretisht në datat 25-27 shtator 2023; 18-20 tetor 2023; 22-24 nëntor 2023, teksa u bën thirrje të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në Elbasan, Cërrik, Librazhd, Gramsh e zonat përreth të bëhen pjesë e kësaj eksperiencë unike duke u regjistruar sa më parë, pasi vendet janë të limituara.

Ashtu si edhe në të gjitha kurset që janë organizuar në zonat e tjera të vendit, edhe në Elbasan mund të marrin pjesë ish-futbollistë, mësues të edukimit fizik, por edhe persona që janë të apasionuar pas futbollit dhe duan të zhvillojnë karrierën e tyre në këtë fushë. Mosha minimale për t’u regjistruar në kurs është 20 vjeç dhe kandidatët duhet të dërgojnë në adresën elektronike drejtoria.teknike@fshf.al diplomën e shkollës së mesme, aktivitetin që ushtrojnë, numrin e kontaktit si edhe një fotokopje të kartës së identitetit apo pasaportës.

Nuk do të pranohen në kurs kërkesat e dërguara nga kandidatët e dënuar mbi 180 ditë nga Komisionet Disiplinore të FSHF-së; studentët të cilët, ndërsa ndjekin kursin, do të pësojnë një pezullim prej më shumë se 180 ditësh nga Komisionet e FSHF-së; kandidatët e dënuar përjetësisht nga Komisionet e FSHF-së; studentët të cilët gjatë zhvillimit të kursit dënohen nga autoritetet pezullohen nga kursi.

Kërkesa për t’u regjistruar në kursin UEFA C, duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën e-mail drejtoria.teknike@fshf.al ose përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 05.09.2023 dhe të gjitha aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen.

Të gjithë personat që pajisen me licencën e trajnerit UEFA C kanë mundësinë të trajnojnë skuadra në futbollin amator dhe mund të punojnë si zëvendës-trajnerë me ekipet e moshave që marrin pjesë në kampionatet e të gjitha niveleve të organizuara nga FSHF në vend.