Aventura e Alexandre Lacazette tek skuadra e Arsenalit duket se ka ardhur drejt fundit. Pas 5 sezonesh dhe 66 golave të shënuar me londinezët deri tani, sulmuesi francez mund të largohet nga klubi anglez në kërkim të një aventure të re.
Kontrata e tij skadon në qershor dhe pavarësisht fjalëve të teknikut Arteta, 30-vjeçari nuk ka marrë akoma një ofertë për të rinovuar, prandaj do të ishte i gatshëm të ndryshonte skuadër. Tekniku nuk e ka aktivizuar shumë këtë sezon, vetëm 54 minuta në total, në dy ndeshje.
Duket qartë se ka ardhur koha, që Lacazatte dhe Arsenali të mbyllin bashkëpunimin mes tyre. Sipas asaj që thotë “Espn”, francezi mund të largohet që në janar me një çmim jo shumë të lartë. Për sulmuesin interesohen edhe dy klube italiane: Juventusi dhe Milani, me bardhezinjtë që janë të gatshëm t’i bëjnë një ofertë zyrtare Arsenalit. Shërbimet e Lacazette i kërkon edhe Atletico e Madridit, pasi Simeone ka kohë që do ta transferojë në kryeqytetin spanjoll sulmuesin. /Oversport.tv