Lajme të mira për Allegrin, rikthehen në dispozicion dy lojtarë për sfidën me Romën

Ndodh që lajmet e mira mund të vijnë edhe në një ndeshje miqësore të luajtur në fushën e stërvitjes, kur më shumë se 70% e organikës është e impenjuar me skuadrat kombëtare respektive.

Kjo gjë i ka ndodhur dje Massimiliano Allegrit. Nuk ishte rezultati 2-1 kundër Alessandrias që i solli buzëqeshjen trajnerit të Juventusit, por rikuperimi i plotë i Arthur dhe Kaio Jorge, që luajtën në miqësore për rreth një orë.

Menjëherë pas mbarimit të ndeshjeve të kombëtareve, Juventusi do të zhvillojë 7 takime në 20 ditë dhe Allegri duhet të shfrytëzojë të gjithë lojtarët që ka në dispozicion.

Kaio Jorge luajti pak minuta në derbi dhe duket se teknikut i pëlqen shumë i riu brazilian. Prezenca e Dybalas në ndeshjen e radhës në Serie A kundër Romës është në dyshim serioz, ndërsa mungesa e Moratas në këtë takim është e sigurtë. Prandaj ish-lojtari i Santosit, kthehet në një kandidat serioz për një vend në sulm.

Në mesfushë Juventusi ka humbur Rabiot, por rigjen Arthur, që në 16 korrik iu nënshtrua një operacioni. Edhe Aaron Ramsey ka gjetur rrugën e golit me kombëtaren e Uellsit në ndeshjen kundër Çekisë. /Oversport.tv