Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miratoi Rregulloren e re të UEFA-s për Licencimin e Klubeve dhe Qëndrueshmërisë Financiare në mbledhjen në Nion.
Rregulloret janë reforma e parë e madhe e rregullave financiare të UEFA-s, që kur u prezantuan për herë të parë në vitin 2010. Nuk ka më Fair Play Financiar, por do të ketë disa rregulla të reja, për të ruajtur stabilitetin financiar të klubeve.
Objektivi kryesor i rregulloreve të reja është arritja e një qëndrueshmërie financiare. Kjo do të arrihen përmes tre shtyllave kryesore: aftësisë paguese, stabilitetit dhe kontrollit të kostos.
Për aftësinë paguese, rregulli i ri i detyrimeve të prapambetura (për klubet e futbollit, punonjësit, autoritetet sociale/taksave dhe UEFA-s) do të sigurojë mbrojtje më të mirë të kreditorëve. Kontrollet do të kryhen çdo tremujor dhe do të ketë më pak tolerancë ndaj vonesave në pagesa.
Kërkesat e reja për të ardhurat e futbollit janë një evolucion i kërkesave ekzistuese të rentabilitetit dhe do të sjellin aftësi më të mëdha për financat e klubit. Për të lehtësuar zbatimin për klubet, përllogaritja e fitimeve nga futbolli është e ngjashme me llogaritjen e rezultatit të rentabilitetit.
Ndërsa devijimi i pranueshëm është rritur nga 30 milionë euro gjatë tre viteve në 60 milionë euro gjatë tre viteve, kërkesat për të siguruar vlerën e drejtë të transaksioneve, për të përmirësuar bilancin e klubeve dhe për të reduktuar borxhet janë forcuar ndjeshëm.
Risia më e madhe në rregulloret e reja do të jetë futja e një rregulli të kostos së skuadrës për të sjellë kontroll më të mirë të shpenzimeve në lidhje me pagat e lojtarëve dhe kostot e transferimit. Rregullorja kufizon shpenzimet për pagat, transferimet dhe tarifat e agjentëve në 70% të të ardhurave të klubit. Vlerësimet do të kryhen në një afat të caktuar kohor dhe shkeljet do të përballen me ndëshkime financiare dhe masa sportive të paracaktuara.
Rregulloret e reja do të hyjnë në fuqi në qershor të këtij viti. Do të ketë një zbatim gradual gjatë tre viteve të ardhshme për t’u dhënë klubeve kohën e nevojshme për t’u përshtatur. / Oversport.tv
Foto: uefa.com