Lamtumirë Jimmy Greaves, shuhet legjenda e Tottenham dhe Anglisë

Është shuar në moshën 81 vjeçare, Jimmy Greaves, një nga sulmuesit më të mëdhenj të të gjitha kohërave në Angli, golashënuesi më i mirë në historinë e Divizionit të Parë (para se të quhej Premier Ligë) dhe fitues i Kupës së Botës në vitin 1966.

“Jemi shumë të trishtuar për humbjen e të madhit Jimmy Greaves, jo vetëm golashënuesi më i mirë i Tottenham Hotspur, por shënuesi më i mirë që ka patur ndonjëherë ky vend”-shkruhej në deklaratën në faqen zyrtare të klubit londinez.

Greaves ishte një nga sulmuesit më të mirë të brezit të tij. Ai shënoi 132 gola në 169 ndeshje të zhvilluara me Chelsean dhe më pas shpërtheu te Tottenham me 266 gola të shënuar në 379 ndeshje të luajtura. Ai mbetet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në klubin londinez.

Me kombëtaren angleze Jimmy Greaves ka shënuar 44 gola në 57 ndeshje të zhvilluara. Ai u shpall kampion Bote në vitin 1966, por luajti vetëm në ndeshjet e grupit. Greaves është golashënuesi i katërt më i mirë i skuadrës kombëtare angleze.