Largimi i Maldinit, ish-futbollistët vazhdojnë të sulmojnë presidentin e Milanit

Largimi i Paolo Maldinit nga drejtimi i Milanit ishte një vendim që shkaktoi irritim jo vetëm të tifozëve, por ka bërë të ndihen keq edhe shumë prej ish-futbollistëve të këtij klubi. Serginho, Panucci e Borriello janë njëzëri kur thonë se kuqezinjtë kanë humbur një shtyllë kryesore të historisë së këtij ekipi.

“Milan ka humbur një shtyllë të rëndësishme që po bënte një punë fantastike. Uroj që skuadra të rikthehet sa më shpejt të fitojë, sepse mbetet ekipi i zemrës. Nuk e kisha imagjinuar që pas një titulli të fituar dhe një gjysmëfinaleje Championsi të arritur, të mund të kishte ndryshime të tilla kaq drastike”, ka thënë Serginho, pjesë e kuqezinjve në periudhën 1999-2008.

Më tej, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci, bën krahasimin mes kulturës në Itali dhe Amerikë, vendit nga ku vjen edhe presidenti i Milanit.

“Ne kemi një kulturë ndryshe nga ajo që kanë amerikanët, pasi ato mendojnë vetëm për të bërë biznes. Ishte e pashmangshme që pasioni, dashuria dhe historia e Paolo Maldinit lidhur me këtë klub, do të përballeshin herët ose vonë me ato që kontrollojnë bilancet. Më vjen keq për të sepse po bënte një punë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Panucci, ish-mbrojtësi i kuqezinjve në periudhën 1993-1997.

Më diplomat në deklaratën e tij ka qenë Marco Borriello, pjesë e Milanit nga viti 2002 deri në vitin 2010.

“Janë çështje të ndjeshme dhe duhet arsyetuar me kujdes. Paolo Maldini ka qenë një mik, një kapiten, një shembull për t’u ndjekur dhe një idhull dhe mua më vjen keq. Mirëpo, duhet marrë në konsideratë edhe pronari që harxhon paratë dhe vendos. Besoj që ka pasur një komunikim dhe nuk ka qenë mungesë respekti, pavarësisht vendimit përfundimtar që u mor”, është shprehur ish-sulmuesi. /oversport.tv

Foto: AC Milan, Facebook