Puna e bërë me Milanin ka hapur dritare të tjera mundësie për ish-drejtorin Paolo Maldini. Kapiteni legjendar italian është tashmë si një opsion për të marrë post të lartë në Kombëtaren italiane, por jo vetëm. Edhe PSG është duke verifikuar mundësinë për t’i bërë një ofertë ish-qendërmbrojtësit, që u nda me pronarët e rinj të Milanit.
Presidenti Gravina e ka në listë Maldinin për t’i dhënë atij mundësinë që të jetë në krye të delegacionit të kombëtares “axurre”. Jo vetëm si një figurë prezantuese, por edhe për të bërë lidhjen mes Federatës dhe dhomave të zhveshjes në ekipin kombëtar. Për më tepër, që trajneri Mancini ka në mbikqyrje edhe skuadrat U-21 dhe U-20, ndaj tek Maldini do të gjente një figurë frymëzuese për brezat përpara se të jenë të gatshëm për të përfaqësuar kombëtaren A të Italisë. Në listën e presidentit të federatës italiane të futbollit janë edhe emra si Buffon, Oriali dhe Chiellini.
Nga ana tjetër, PSG me ndryshimin e trajnerit mund të bëjë të mundur edhe ndryshimin e të gjithë strukturës drejtuese në klub, për të nisur kështu një cikël të ri. Në rast largimi të Luis Campos nga skuadra franceze, Maldini mund të merrte një rol që e ka pritur prej kohës, për të qenë ai në krye të lëvizjes dhe drejtimit të klubit. Si për merkaton, ashtu edhe për menaxhimin teknik të klubit. /oversport.tv
Foto: AC Milan, Facebook