Lautaro kthehet në Milano, Inzaghi ka gati dyshen LU-LA për sfidën ndaj Napolit

Inter do të luajë ndeshjen e parë të vitit 2023 ndaj Napolit, skuadrës që po kryeson dhe deri më tani nuk e njeh shijen e humbjes këtë sezon në Serinë A. Për këtë, nevojitet që skuadra zikaltër të jetë e plotë, për të arritur të përballojë lojën dhe forcën e skuadrës së Spallettit.

Në vigjilje të festës së ndërrimit të viteve, për trajnerin Inzaghi, vjen një lajm i mirë. Lautaro Martinez rikthehet nga Argjentina, si fitues i Kupës së Botës dhe do të jetë gati për të zbritur menjëherë në stërvitje dhe për t’u ribashkuar me sulmuesin belg, Romelu Lukaku.

Sulmuesi belg ka punuar me ritme të shtuara dhe ka treguar se është në formë, gjithashtu edhe Dzeko e ka bërë pjesën e tij gjatë kësaj periudhe përgatitore dhe gjasat janë që Inzaghi të hedhë nga minuta e parë me Napolin edhe dyshen e gjigandëve.

Megjithatë, Lautaro Martinez ka garantuar trajnerin Inzaghi dhe gjatë dhjetë ditëve pushim pas festës për Kupën e Botës, nuk ka shtuar peshë dhe se është në formë. Mbetet për t’u parë në qendrën stërvitore të Interit se cila do të jetë dyshja e sulmit që do të zgjedhë Inzaghi për 4 janarin, por e rëndësishme për zikaltrit është që pas një kohe të gjatë, kthehet në dispozicion dyshja LU-LA. / Oversport.tv