Lautaro Martinez në lot pas zëvendësimit: Arsyeja është familja ime

Sulmuesi i Argjentinës, Lautaro Martinez ka qënë protagonist në ndeshjen ndaj Uruguayt jo vetëm brenda fushe por edhe jashtë saj. Ai zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer me kombëtaren e tij duke shënuar edhe golin e tretë që vulosi përfundimisht ndeshjen.

Megjithatë, ajo që ra më shumë në sy ishte se pas zëvendësimit në minutën e 65, sulmuesi “zikaltër” u ul në stol dhe shpërtheu në lot për disa minuta. Ai u fokusua vazhdimisht nga kamerat duke ngritur shumë pikëpyetje mbi arsyet që e çuan lojtarin të derdhte lot.

Për të shpjeguar gjithçka ka menduar vetë Martinez duke dhënë arsyet: “Po mendoja për familjen time. Mbaj mend sakrificat që kam bërë, vajza dhe e gjithë familja ime ishin të pranishëm në stadium dhe kjo është arsyeja pse u emocionova. Familja më shoqëron gjithmonë, jam mirënjohës për afërsinë që ata tregojnë ndaj meje”, përfundoi Lautaro duke hedhur poshtë të gjitha dyshimet e tjera mediatike. / oversport.tv