Lazio dhe Inter masin forcat në “Olimpico”, Milani për vazhdimësi ndaj Veronës

“Magjia” e Serie A rikthehet në Oversport me tre takimet e javës së tetë, që do të luhen ditën e sotme.

Në orën 15:00 do të luhet sfida Spezia-Salernitana, në mbrëmje në orën 20:45 Milani do të presë në “San Siro” Veronën, ndërsa kryendeshja e ditës së sotme, përballja Lazio-Inter do të luhet në “Olimpico” në orën 18:00. Të treja këtë takime do të transmetohen në Oversport 1.

Pas pauzës së kombëtareve, kampionati italian rikthehet me një sfidë të madhe, pasi në “Olimpico” përballen dy skuadra me histori dhe me pretendime të mëdha këtë sezon.

Lazio kërkon të reagojë pas humbjes së thellë përballë Bolognas, duke synuar rikthimin tek fitorja në sfidën e sotme kundër zikaltërve. Immobile është rikuperuar dhe do të luajë që nga minuta e parë.

Francesco Acerbi do të mungojë për bardhkaltërit sepse është i skualifikuar dhe në vend të tij pritet të luajë Patric. Hysaj, tashmë është një titullar i sigurtë i skuadrës së Sarrit, ndërsa Strakosha dhe Muriqi do të qëndrojnë në stol.

Simone Inzaghi rikthehet në Romë (“ka qënë shtëpia ime për 22 vite”, ka thënë tekniku), por këtë herë në krye të kampionëve në fuqi të Italisë. Trajneri i zikaltërve kërkon maksimumin e pikëve përballë ish-skuadrës së vet, që ti afrohet akoma më shumë kreut të renditjes.

Sensi, Vidal dhe Sanchez do të mungojnë në transfertën e sotme në kryeqytet. Në sulm ka një balotazh mes Lautaros dhe Perisic, por tekniku do të vendosë pasi të shohë gjendjen e argjentinasit, që është kthyer vonë në Milano, pas ndeshjeve që luajti me Argjentinën për kualifikueset e Botërorit.

Formacionet e mundshme

Lazio: (4-3-3): Reina; Marusic, Luiz Felipe, Patric, Hysaj; Milinkovic-Savic, Leiva, Luis Alberto; Felipe Anderson, Immobile, Pedro.

Inter (3-5-2): Handanovic; Skriniar, De Vrij, Bastoni; Darmian, Barella, Brozovic, Gagliardini, Dimarco; Perisic, Dzeko.