Lazio e fjetur në Milano, Leao e Zlatan Ibrahimovic “tërbojnë” Sarrin

Milani marshon! Kuqezinjtë kanë mposhtur me rezultatin e pastër 2-0 Lazion dhe kryesojnë së bashku me Napolin pas tre javësh kampionat në Serie A. Dueli i transmetuar në Oversport dhe i komentuar nga Alban Xhihani dhe Florian Myrtaj nga San Siro, kishte spektakël.

Milani ishte futur me ide të qarta në lojë. Kuqezinjtë dominuan dhe u munduan të gjejnë hapësira në zonën e Lazios. Rastet munguan nga të dyja krahët, me përjashtim të tentativave të Milinkovic-Savic dhe mbrojtësi Calabria.

Në fundin e pjesës së parë Milani kundërsulmoi rrezikshëm dhe Rebic shërbeu për Leao, i cili nuk fali me një goditje brenda zonës. Kryesuesit e Serie A morën në shtesën e pjesës së parë edhe një penallti, që Kessie e dërgoi ne tranversë.

Milanit i duhej edhe një gol për t’u qetësuar dhe trajneri Stefano Pioli mendoi të aktivizonte gjigantin Zlatan Ibrahimovic. Suedezi nuk zhgënjeu dhe duhet të falënderojë edhe Rebic, i cili i dha mundësinë suedezit të shtynte topin në rrjetë.

Ibra më pas kishte edhe një mundësi tjetër shënimi, por nuk e shënjestroi portën si duhet. Milanit gjithsesi i mjaftuan dy golat, që i shkaktuan Lazios humbjen e parë në kampionat. Në fund pati edhe tension, me trajnerin Sarri që kishte diçka për të sqaruar me Saelemaekers dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Tani kuqezinjtë mendojnë për duelin e Champions kundër Liverpool dhe sfidën ndaj Juventusit të dielën, për llogari të Serie A. / oversport.tv