Lazio fiton derbin e Romës, goli i Zaccagnit vendos sfidën

Një gol i Mattia Zaccagni është ai që vendos derbin e kryeqytetit italian me Lazion që triumfon në “Olimpico” përballë rivalëve të përjetshëm, Romës. Në një ndeshje shumë emocionuese është Sarri me të besuarit e tij që festojnë dhe marrin tre pikë shumë të rëndësishme në luftën për një vend në zonën Champions.

Ndeshja ka menjëherë ritëm me të dyja skuadrat që kërkojnë të zhbllokojnë rezultatin. Felipe Anderson dhe Mattia Zaccagni kanë shanset e para të arta, por pa sukses. Nga ana tjetër Roma tradhtohet nga mbrojtësi Roger Ibanez që bën dy ndërhyrje të gabuara brenda 32 minutave dhe detyron gjyqtarin e takimit ta largojë nga fusha e lojës me karton të kuq. Roma mbetet me 10 lojtarë dhe Lazio përpiqet të përfitojë nga epërsia numerike në fushë, por pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura.

Në pjesën e dytë Lazio ka më shumë besim dhe në minutën e 65-të është Zaccagni që mposht portierin Rui Patricio duke çuar më pas topin në rrjetë. Në festë skuadra e Lazios, që megjithatë, shtanget pak minuta më vonë me Romën që gjen golin e baraspeshës. Në ndihmë Lazios i vjen VAR që anulon golin për një pozicion jashtë loje.

Minutat e mbetura flasin për Lazion që kërkon të menaxhojë avantazhin, ndërsa nga ana tjetër Roma provon të surprizojë kundërshtarin. Në fund nuk ka ndryshim rezultati dhe Lazio del triumfues nga derbi i Romës. Tre pikë shumë të rëndësishme për skuadrën e Sarrit që merr provizorisht vendin e dytë, me 52 pikë, në pritje të supersfidës Inter-Juventus. Roma ndërkohë mbetet në vendin e pestë me 47 pikë. /oversport.tv

Foto: S.S. Lazio, Twitter