Lazio triumfon në supersfidën ndaj Milanit me poker golash. Kuqezinjtë e Piolit shpërfytyrohen në “Olimpico” dhe mposhten me rezultatin e thellë 4-0. Kryeqytetasit dominojnë lojën për gjatë 90 minutave duke realizuar fillimisht me Milinkovic-Savic dhe Zaccagni, ndërsa më pas vulosin fatin e këtij takimi Luis Alberto dhe Felipe Anderson.
Ka menjëherë spektakël në sfidën që u transmetua livë në Oversport dhe Tibo. Lazio gjen golin e avantazhin pas vetëm 4 minutash lojë. Një pasim i Zaccagnit në zonë dhe një lëvizje e mirë e Luis Albertos dhe Anderson, bëjnë që topi të shkojë te Milinkovic-Savic. Ky i fundit me një goditje në cepin e portës mposht Tatarusanun dhe zhbllokon takimin.
Milani provon të rrezikojë, por janë të pafuqishëm. I vetmi moment që kuqezinjtë gjejnë kuadratin është një goditje nga distanca që ndalet lehtësisht nga Provedel. Pjesa e parë ndërkohë mbyllet me avantazhin e dyfishtë të lacialëve. Është Marusic që fillimisht godet shtyllën, por topi shkon në këmbët e Zaccagnit që e devijon në rrjetë. Në fundin e pjesës së parë Zaçagni ka një tjetër mundësi të artë, por Simon Kjaer bllokon gjithçka.
Në pjesën e dytë, Pioli provon të ndryshojë diçka tek ekipi dhe hedh në fushën e lojës Origi, De Ketelaere dhe Saelemaekers. Megjithatë, zëvendësimet nuk janë shumë efikase. Lazio fiton një 11-metërsh dhe që përkthehet në gol nga Luis Alberto duke trefishuar rezultatin.
Pokeri i golave plotësohet nga Felipe Anderson që i vetëm përballë Tatarusanu nuk gabon duke çuar rezultatin në 4-0. Me këtë rezultat mbyllet i gjithë takimi ndërsa Milani pëson një tjetër humbje me lojë zhgënjyese. Me këtë fitore Lazio ngjitet në vendin e tretë, ndërsa Milani bën një tjetër hap fals në luftën për titull dhe qëndron në kuotën e 38 pikëve. Sfida mes Lazios dhe Milanit mbylli edhe fazën e parë të Serie A. /oversport.tv
Foto: S.S. Lazio, Twitter