Lazio nuk gabon, mposht Monzan dhe rrëmben vendin e dytë në renditje

Lazio nuk gabon në “Olimpico” përballë Monzas, merr trepikëshin e radhës në kampionat dhe ngjitet në vendin e dytë në renditje. Mjafton një gol i Romeros në mesin e pjesës së dytë, që ti japë suksesin e radhës skuadrës së Sarrit.

45 minutat e para të sfidës Lazio-Monza janë të bukura, plot emocione dhe raste. Vendasit nisin më mirë takimin, por me kalimin e minutave rritet edhe skuadra e Palladinos. Petagna shënon një gol të bukur, që anulohet nga VAR për pozicion jashtë loje.

Skuadra e Sarrit luan në sulm dhe krijon disa raste të mira shënimi dhe i afrohet golit me Vecinon.  Monza zbret rrezikshëm sa herë i jepet mundësia, por pavarësisht përpjekjeve të dy skuadrave pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola.

E njëjta tablo shfaqet edhe në pjesën e dytë, por Lazio zhbllokon sfidën me Romeron dhe arrin të marrë një fitore të çmuar. / Oversport.tv

Foto: S.S.Lazio Twitter