Lazio shkëlqen me Immobile, mposht në transfertë me poker Genoan

Veniten edhe më shumë shpresat e Genoas për mbijetesë pasi u mposht në shtëpi nga Lazio me rezultatin 4-1. Ekipi i Sarrit sakaq, konfirmon edhe njëherë se ka gjetur disi stabilitet, me Ciro Immobilen që shkëlqen sërish duke shënuar tre gola në këtë takim.

Ndeshja filloi vrullshëm, me të dyja ekipet patën disa raste të mira shënimi. Strakosha u tregua dy herë vendimtar me pritjet e tij, ndërsa Genoa kërkoi edhe për një 11-metërsh, por ndërhyrja ishte jashtë zone dhe sistemi VAR nuk akordoi penallti.

Në aksionin pasardhës, Adam Marusic i vetëm depërtoi mjaft mirë në mbrojtjen e Genoas duke shënuar edhe golin që prishi ekuilibrat e takimit. Kur pritej që të mbyllej pjesa e parë, Ciro Immobile dyfishoi rezultatin duke mbyllur fraksionin e parë në avantazh të dyfishtë për Lazion.

Edhe në pjesën e dytë, do të ishte sërish ekipi i Sarrit që do të gjente rrugën e rrjetës me të përhershmin, Immobile. Nga ana tjetër, Patric ishte i pafat dhe shënoi në portën e vetë duke ngushtuar diferencat.

Megjithatë, Immobile do të vuloste edhe rezultatin final të takimit në minutën e 76 duke plotësuar tripletën personale dhe pokerin e këtij takimi. Kështu, Lazio arrin kuotën e 55 pikëve dhe ngjitet në vendin e pestë, një pikë më shumë se Roma që do të luaj më vonë.

Genoa sakaq, qëndron në vendin e parafundit në kuotën e 22 pikëve. /oversport.tv

Foto: S.S. Lazio, Twitter