Leao: Falë Piolit kam arritur deri këtu, synoj nivelin e Mbappe dhe Ronaldo

Rafael Leao ka dhënë një intervistë të gjatë për “Dazn” ku ka folur për eksperiencën e tij tek Milani.

“Fillimi nuk ishte i lehtë sepse erdha në një kampionat tjetër dhe nuk flisja italisht. Isha 19 vjeç dhe kishte shumë kundërshtarë të një niveli të lartë.

Por të gjithë më ndihmuan dhe tani gjërat shkojnë më mirë. Pavarësisht vështirësive Pioli kishte besim tek unë dhe më hodhi në fushë si titullar. Falë tij jam bërë lojtari që jam sot”, ka thënë sulmuesi kuqezi.

“Më ka transmetuar mentalitetin e duhur sepse është dikush që më ka shtyrë të besoj tek vetja ime. Më thoshte:

“Ti ke talent, por të mungon pak mentalitet fituesi. Nëse do të arrish në nivelin e Mbappésë dhe Ronaldos, duhet të bësh ndryshimin në të gjitha ndeshjet, përndryshe je një lojtar mediokër”.

E kam dëgjuar shumë dhe në kokën time ndryshoi diçka pasi fola me trajnerin personal dhe me familjen time”, ka shtuar portugezi.

Falë teknikut kuqezi, tashmë Leao ka përmirësuar lojën e tij: “Të gjithë duhet të shikonin se kush isha vërtetë dhe ia arrita. Mbappé dhe Ronaldo janë dy lojtarët që më inspirojnë, ata shoh më tepër në YouTube.

Unë akoma nuk jam një goleador si ata, por po mësoj dhe dua të arrij në atë nivel”, ka përfunduar Leao. / Oversport.tv