LeBron James mediton largimin: Duhet të reflektoj për të ardhmen time

LeBron James bëri gjithçka në ndeshjen numër 4 përballë Denverit, duke synuar që të zgjaste serinë e finaleve në Konferencën e Perëndimit (realizoi 40 pikë dhe 10 rebounde), por Nuggets treguan se ishin shumë të fortë dhe arritën të triumfojnë në finalen e Konferencës dhe të sigurojnë një vend në finalen e madhe të NBA.

Zhgënjimi ishte i dukshëm te “Mbreti”, që në fund të ndeshjes la të kuptohet se po mediton largimin nga basketbolli. “Kam shumë për të menduar në aspektin personal për të vazhduar apo jo me basketbollin, duhet të reflektoj thellë”, ka thënë LeBron James.

Këto fjalë kanë tronditur botën e NBA, sepse pak kohë më parë ylli i Lakers kishte deklaruar se donte të vazhdonte të luante, që të paktën të luante një sezon me të birin Bronny, që pritet të debutojë në kampionat në sezonin 2024-2025.

38-vjeçari sapo mbylli sezonin e tij të 20-të në NBA, ku ka arritur të fitojë 4 herë titullin dhe ka spikatur me paraqitje të jashtëzakonshme në parket, duke vendosur rekorde, që e kanë bërë një nga lojtarët më të mirë në historinë e këtij sporti. / Oversport.tv