Lecce mposhtet nga Torino, gjithçka vendoset në 3 minuta

Torino ia del me sukses në transfertë duke mposhtur Leccen me rezultatin e pastër 2-0, një sfidë e cila u mbyll që në pjesën e parë nga ekipi i “granatave”.

Takimi nisi i qetë në minutat e para të lojës me ekipet që nuk krijuan ndonjë rast konkret. Pas 20 minutash lojë, Torino prishi ekuilibrat dukë tundur rrjetën me një gol perfekt të shënuar nga Singo.

Pas vetëm tre minutash nga goli i shënuar, miqtë gjetën dhe golin tjetër që ndryshoi fatet e këtij takimi. Radonjic bëri gjithçka vetë në krahun e majtë duke dribluar Baschirotton dhe në fund shërbeu për Sanabrian i cili nuk gaboi me portën gjysmë të boshatisur.

Në pjesën e dytë, Lecce doli plotësisht në sulm për të vënë në vështirësi Torinon. Megjithatë, tentativat e shumta të vendasve në drejtim të kundërshtarëve nuk u finalizuan dot në gola.

Me këtë fitore, Torino ngjitet në vendin e 7-të të renditjes së Serie A me dy pikë më shumë se Juventusi që ka një ndeshje për të luajtur. Nga ana tjetër, Lecce pëson humbjen e tretë radhazi dhe mbetet në vendin e 15-të të renditjes. /oversport.tv