Leclerc dominon provat zyrtare! Verstappen i dyti, zhgënjen Mercedes

Formula 1 ka nisur zyrtarisht sezonin e saj për vitin 2022. Janë zhvilluar sot provat zyrtare të Çmimit të Madh të Bahreinit me Charles Leclerc që arrin Pole Positionin e parë për këtë sezon.

Ferrari konfirmoi edhe në prova zyrtare ecurinë e mirë me Leclerc që regjistroi kohën më të shpejtë në kualifikuesen finale dhe do të niset i pari në garën e nesërme.

Vendi i dytë për kampionin në fuqi Max Verstappen që nuk arriti dot të superonte pilotin e Ferrarit, e megjithatë, ia doli t’i ndante dy pilotët e skuderisë italiane.

Carlos Sainz regjistroi kohën e tretë më të shpejtë, ndërsa Sergio Perez do të niset nga vendi i katërt. Zhgënjen Lewis Hamilton që regjistroi vetëm kohën e pestë.

Valtteri Bottas me Alfa Romeo i ka surprizuar të gjithë pasi do ta nisë garën e nesërme nga vendi i gjashtë. Surprizë edhe vendi i shtatë me Kevin Magnussen që do ta nisë garën nga ky pozicion.

Fernando Alonso do të niset i teti, ndërsa Mercedes ka zhgënjyer edhe me pilotin e dytë, George Russell që do të niset nga vendi i nëntë. Top 10 mbyllet nga piloti francez i Alpha Tauri, Pierre Gasly.

Zhgënjejnë edhe dy pilotët e McLaren me Norris që u rendit në vendin e 13-të, ndërsa Daniel Ricciardo në vendin e 17. /oversport.tv

Foto: Formula 1, Twitter