Inter-Milan është një prej ndeshjeve më të shikuara si dhe me më shumë rivalitet në Serie A. Një panoramë e futbollit italian që ka interes në të gjithë botë dhe nga fusha në ditën e derbit do të jetë edhe skuadra Oversport me emisionin “Gran Gol” për të sjellë live emocionet që përjetohen në mitikun “San Siro”.
Ndërkohë që në prag të kësaj sfide ka folur edhe legjenda zikaltër, Jurgen Klinsmann, i cili ka thurur elozhe për skuadrën e Inzaghit dhe për mënyrën e lojës së tyre. “Derbi duhet vetëm të fitohet, sepse është një ndeshje që vlen shumë. Është një sfidë speciale për tifozët si puna ime, por edhe për lojtarët në fushën e lojës”, shprehet fillimisht legjenda gjermane.
Më pas Klinsmann flet për mënyrën e lojës së zikaltërve dhe mundësitë që ata kanë në këtë sezon. “Mua më pëlqen mënyra se si luan Interi, por mendoj se në kampionat është shumë vonë për të ndalur Napolin. Shpresa ime është që të jetë një vit special për zikaltrit në Champions League.
Besoj se mund të bëjnë mirë sepse skuadra është e jashtëzakonshme dhe ka treguar tashmë që mund të luajë me skuadrat e mëdha europiane. Pres të paktën të shkojnë deri në gjysmëfinale. Më pas nuk duhet të lë pa përmendur edhe Kupën e Italisë që është një kompeticion më pak i rëndësishëm, por gjithsesi mbetet një trofe.”
Foto: Inter, Facebook