Lejohen vetëm të vaksinuarit, Djokovic mund të mungojë në Australian Open

Novak Djokovic mund të mungojë në “Australian Open”, tashmë që kryeministri i shtetit të Victorias ka zyrtarizuar se në turne do të lejohen të marrin pjesë vetëm tenistët e vaksinuar.

“Është e vërtetë se nuk e di nëse do të luaj apo jo, situata nuk është aspak e mirë. Pas 2 ose 3 javëve do të merret një vendim përfundimtar”, ka thënë numri një në Botë, në një intervistë për të përditshmen serbe “Blic”.

“Më duket tmerrues fakti që shoqëria të gjykon në bazë të një vaksine. Nuk dua të marr pjesë në një luftë që po e krijojnë mediat. Prandaj nuk do të tregoj nëse jam i vaksinuar apo jo”, ka thënë tenisti, që gjithmonë ka qenë skeptik në lidhje me vaksinat.

Australia është një nga vendet që ka masat më të ashpra anticovid dhe nuk ka ndërmend që të ndryshojë qëndrimet edhe në prag të turneut prestigjioz të tenisit.

“Nuk besoj se një tenist i pa vaksinuar do të marrë vizë për tu futur në këtë shtet. Virusit nuk i intereson renditja në klasifikim apo sa tituj ka fituar një tenist. Edhe po të pajisen me vizë, do të duhet të qëndrojnë në karantinë për nja dy javë”, ka thënë kryeministri i shtetit të Victorias, Daniel Andrews. /Oversport.tv