Lenjani jep asist si baba! Çokaj asist, Berisha gol në derbin ndaj Sadikut

Legjionarët kanë arritur që të lënë gjurmë këtë fundjavë me skuadrat e tyre. Ermir Lenjani, pasi mori lajmin e mrekullueshëm këtë fundjavë duke u bërë baba, në triumfin e thellë 5-2 që Grasshopers siguroi ndaj St.Gallen asistoi në golin që i vuri “vulën” rezultatit.

Në ndeshjen ku Abrashi mungoi për shkak të një dëmtimi, Lenjani u aktivizua në minutën e 59-të, kur takimi ishte 3-2. Në të 84-tën, Lenjani nis një kundërsulm të shpejtë nga e majta dhe asiston për Danin që me kokë, realizon për të sigluar shifrat në 5-2.

Në javën e shtatë, Enis Çokaj asistoi në fitoren 3-0 që Lokomotiva e Zagrebit siguroi ndaj Slaven Belupos. Në këtë sfidë, bashkë edhe me Jon Mersinajn, dy shqiptarët nisën titullarë. Mbrojtësi, i cili mbante shiritin e kapitenit, u ndëshkua me të verdhë në minutën e 45-të.

Më tej, në të 59-tën, Çokaj ndëshkohet me karton të verdhë ndërsa në të 70-ën, asiston në golin që e çon sfidën në 2-0. Deri në fund Lokomotiva shënon edhe një gol për ta mbyllur 3-0.

Mërgim Berisha ka shënuar në fitoren 2-1 që Fenerbahce ka arritur ndaj Kasimpasa në Turqi. Në minutën e 16-të, një gjuajtje e sulmuesit me origjinë kosovare që ka zgjedhur të luajë me Gjermaninë U-21, është devijuar duke shtangur portierin kundërshtar.

Berisha ka triumfuar në këtë ndeshje përballë Loret Sadikut si dhe të Florent Hadërgjonajt. Në Zvicër, i pafat këtë fundjavë ka qenë mbrojtësi Fidan Aliti. Në fitoren e thellë 6-2 që Zurich i shkaktoi Sionit, qendërmbrojtësi i “Dardanëve” shënoi autogol, i cili ishte edhe goli i parë i miqve n minutën e 63-të. / oversport.tv