Leonardo mohon interesin për lojtarët kuqezi: Nuk kemi kontaktuar asnjë

Milani mbetet i përqendruar tek fusha e lojës, ku lufton me Napolin për kreun e renditjes në këto javë të para të kampionatit italian.

Por drejtuesit kuqezi duhet të mendojnë edhe për merkaton, me sesionin e janarit që po afrohet dhe veçanërisht me kontratat e disa lojtarëve të rëndësishëm, që po shkojnë drejt skadimit. Mbi të gjitha kontrata e Franck Kessié, e cila përfundon në fund të sezonit aktual.

Sytë e shumë skuadrave të mëdha europiane janë të fokusuar tek mesfushori nga Bregu i Fildishtë, pasi duan që të përforcojnë organikat e tyre me lojtarin e talentuar.

PSG-ja është një nga skuadrat e interesuara për Kessié, por drejtori sportiv i francezëve, në një prononcim për mediat ka përjashtuar (të paktën për momentin) interesimin e skuadrës së tij për lojtarin në fjalë:

“Nuk kemi kontaktuar me asnjë lojtar. Nuk ka asgjë me Kessie dhe as me Theo Hernandez”, ka thënë drejtuesi i PSG-së. / Oversport.tv